
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi sot një takim me gratë dhe vajzat socialiste në Fier, ku bëri një bilanc të transformimeve të qeverisjes së tij gjatë tre mandateve dhe dha mesazhe të forta politike për zgjedhjet e 11 majit.
“Fieri është sot një pasqyrë e jashtëzakonshme e një transformimi të pabesueshëm. Një qytet që dikur ishte i braktisur e i zhytur në dëshpërim, sot është një qendër zhvillimi dhe krenarie,” u shpreh Rama para të pranishmeve.
Duke folur për rolin e grave në qeverisje dhe transformimin lokal, Rama u ndal te bashkia e Roskovecit, të cilën e quajti “shembull që tregon se gratë e dinë si ta bëjnë shtetin”, duke thumbuar edhe ironikisht burrat që, sipas tij, “e lanë Roskovecin copë-copë”.
Me një prezantim grafik dhe me të dhëna të hollësishme, ai solli para audiencës rritjen ekonomike të vendit nga 10 miliardë euro në 25 miliardë, uljen e papunësisë nga 17.5% në 8.8%, rritjen e pagave dhe pensioneve, investimet në shëndetësi, arsim, infrastrukturë dhe mbështetjen për gratë dhe familjet në nevojë.
“Paga mesatare në administratë sot është 1,000 euro, do të bëhet 1,200 në vitin 2030. Pensioni minimal nuk do të jetë nën 200 euro. Në Shqipërinë 2030, paga minimale do të jetë të paktën 650 euro,” tha Rama.
Duke folur për opozitën, ai sulmoi ashpër Sali Berishën, të cilin e quajti “bufi i kënetës” dhe shtoi: “Në 12 maj Berisha do të shkrijë SPAK-un, do të mbyllë e-Albania dhe do të rikthejë sportelet dhe radhat. S’do mundet, por është një paralajmërim për ata që s’kanë vendosur ende.”
Në mbyllje, Rama i kërkoi grave dhe vajzave të marrin rolin udhëheqës në këtë proces:
“Deri në 11 maj, ju lutem bëni çdo përpjekje që gratë dhe vajzat shqiptare ta marrin të tërin në dorë fatin europian të Shqipërisë dhe të marrin për dore edhe burrat dhe djemtë. Vota e secilit prej jush është një pasaportë europiane për fëmijët tuaj.”