Kryeministri dhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë një takimi me gratë dhe vajzat socialiste të Kamzës, u shpreh me tone të forta politike e batuta pikante, teksa theksoi rolin transformues të grave në këtë zonë dikur simbol i prapambetjes, sot epiqendër e forcës progresiste.

“Kamza është grua. Çfarë t’i bëjmë, është fakt! Dhe fitorja spektakolare e Rakipit herën e kaluar e kishte themelin te gratë,” deklaroi Rama, duke ironizuar një pjesë të burrave që sipas tij “kur janë tifozë politikë, janë çyryk, shofin fanellën dhe pinë raki, pa kuptuar që zgjedhjet nuk janë ndeshje futbolli.”

Me tone ironike, Rama thumbon edhe opozitën, duke i quajtur “bufi i kënetës” dhe “kukumjaçkat që mezi mbushin listat”. “Do zgjedhim Shqipërinë në Europë, apo do shkojmë me bufin prapë në gropë?”, pyeti ai, duke shtuar se “në 11 maj, opozita do marrë humbjen më të madhe që nga 1997-ta”.

Në një tjetër pasazh, kryesocialisti tha: “E dini kush i fitoi primaret në Tiranë? Kryetari i PD të Kavajës. E dini ku është? Në barkun e bufit, e hëngri. I hëngri të tërë!”

Rama kërkoi mobilizim maksimal nga gratë socialiste, duke theksuar se ato duhet të jenë 50% + 0.1 në parti. Ai përmbylli me një tjetër mesazh thumbues: “Kush voton për kënetën, nuk e do as fëmijën e vet. Vota është pasaportë europiane.”

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu