
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në një nga sesionet e nivelit të lartë të Forumit të Paqes në Paris, nismë e Presidentit francez Emmanuel Macron, ku udhëheqës nga mbarë bota u mblodhën për të diskutuar mbi diplomacinë, bashkëpunimin global dhe rendin shumëpalësh.
Në bisedën e moderuar nga Gilles Gressani, themelues i revistës Le Grand Continent, Rama foli hapur për rolin e Europës në botën bashkëkohore, marrëdhëniet me SHBA-në dhe raportet me Rusinë.
“Ne në Europë duhet të bëjmë një ‘dush përulësie’. Ende mendojmë se kemi legjitimitetin moral për të gjykuar të tjerët dhe për të besuar se jemi pika e referencës për botën. Kjo është thelbësisht e gabuar,” deklaroi kryeministri shqiptar.
Duke komentuar mungesën e një strategjie të qartë europiane për paqen, Rama tha se Bashkimi Europian nuk ka ende një plan europian paqeje:
“Është mjaft shqetësuese që ende sot, edhe pas asaj çfarë ka ndodhur me jashtëkontraktimin e politikës së jashtme tek SHBA, Europa nuk ka një plan të vetin paqeje. Ka vetëm një qasje binare ndaj një konflikti që ka potencial të jashtëzakonshëm për të degjeneruar në diçka katastrofike.”
Në lidhje me luftën në Ukrainë, Rama nënvizoi se diplomacia duhet të vazhdojë, pavarësisht vullnetit të palëve:
“Nuk mund të refuzosh të mendosh për paqen, sepse tjetri është kaq i keq sa mund të mos ta dojë. Putini ndoshta nuk e do paqen, por ne duhet të bëjmë atë që përfaqëson vlerat tona.”
Kryeministri theksoi gjithashtu se Europa duhet të ketë autonominë dhe politikën e saj të jashtme, duke shtuar se “duhet të bëjë luftën, por të përgatitet për paqen”.
Në pjesën e debatit për rolin e Shqipërisë, Rama tha me humor:
“Jam më i gjati mes të gjithëve, por përfaqësoj një vend shumë të vogël për të ndryshuar trajektoren e botës. Megjithatë, si europian, më duhet t’u dal për zot mendimeve të mia dhe vendit tim.”
Në vijim, ai mbrojti fort vlerat e anëtarësimit në Bashkimin Europian:
“Bashkimi Europian është projekti më i jashtëzakonshëm politik që njerëzimi ka përfytyruar ndonjëherë. Për Shqipërinë, anëtarësimi në BE është një bekim. Pas 50 vitesh izolim total, nëse BE nuk do të ishte aty, do të kishim fatin e Afganistanit apo Irakut.”
Gjatë bisedës, Rama u shpreh edhe mbi marrëdhëniet e tij me udhëheqësit europianë dhe rajonalë, duke ironizuar:
“Italianët janë shqiptarë veshur me Versace,” tha ai, duke e cilësuar Giorgia Melonin “një grua të shkëlqyer, që kur merr fjalën është më e gjatë se unë”.
Në fund të diskutimit, një pjesëmarrës pyeti për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Rama theksoi se paqja dhe bashkëpunimi rajonal janë rruga e vetme përpara:
“Sa më i lumtur komshiu, aq më e lumtur shtëpia. Mos u kujdes vetëm për veten, por mendo edhe për fqinjin. Ne kemi mësuar nga e kaluara që bashkëpunimi është i vetmi ilaç kundër urrejtjes. S’mund të jemi europianë në Europë dhe ballkanas në Ballkan.”
Me humor karakteristik, Rama e mbylli bisedën me një vëzhgim për “ballkanizimin e Europës”:
“Shihni Francën, akoma nuk miratojnë dot një buxhet. Ça është kjo? Ballkan! Shihni Britaninë – edhe më keq. Europa është ballkanizuar, tani jemi ne të mirët!”




