
Kryeministri dhe kryesocialisti Edi Rama u bën thirrje qytetarëve shqiptarë që të mos e humbasin momentin historik për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Në çeljen e fushatës elektorale të PS, Edi Rama sulmoi një prej aleatëve të Partisë Demokratike, Kujtim Gjuzin.
“Ne shqiptarët nuk mundet në asnjë moment ta humbasin kujtimin me historinë për mustaqet e Kujtim Gjuzit. Sepse sado komike të duket, kjo është e vërteta. Të takosh historinë apo të futesh nën mustaqet e Kujtim Gjuzit. Sot është dita dhe ky muaj i ndarë mes prillit dhe majit është koha që ne të nisim kuvendimin e madh të maleve e të fushave, qyteteve e fshatrave, shqiptarëve përtej të majtës dhe të djathtës, matanë barrikadave partiake, për Shqipërinë zonjë në sallonin e madh të familjes së bashkuar europiane”.
Momenti historik nuk duhet humbur, thotë Kryeministri Rama, i cili theksoi se Shqipëria e vitit 2030 do të jetë një shtet tërësisht ndryshe.
“Sa më të bashkuar për fatin që na ka ardhur në dorë, por jo përgjithmonë sepse takimet me historinë nuk presin dhe as shtyhen dot, ne duhet t’i shkojmë rrugës së hapur të fatit pa paragjykime për njëri-tjetrin. Nëse duam t’i japim fund historisë së një populli padrejtësisht i mbetur si i dorës së dytë, dhe tu dorëzojmë fëmijëve tanë dhe gjithë brezave një vend brenda kufijve të BE ku shqiptarët, italianët, grekët e gjermanët mos ketë më asnjë dallim, por të mos ketë asnjë shans për ta parë shqiptarin nga lart poshtë. Shqipëria sot nuk është gjëkundi njësoj në atë që ishte kur ne morëm detyrën.
Shqipëria 2030 do të jetë një Shqipëri e re, një vend me një tjetër pozicion dhe tjetër fuqi, si shtet anëtar i një familje të madhe lirish dhe të drejtash që ne sot nuk i kemi akoma”.
/tvklan.al