
Kryesocialisti Edi Rama në funksion të fushatës në zgjedhjet e Bashkisë Tiranë, organizoi pasditen e kësaj të premteje, një takim koordinues me ministrat dhe deputetët e kryeqytetit.Mësohet se Edi Rama u ka thënë të pranishmëve të qëndrojnë larg debateve për mënyrën si presidenti e firmosi dekretimin e zgjedhjeve edhe në Tiranë. Rama citohet të ketë deklaruar se dekreti i presidentit është i rregullt dhe duhet të shkohet përpara me fushatën.
“Nuk e shkarkoi qeveria Erion Veliajn por këshilli bashkiak“-citohet të ketë thënë Rama, deklarim që vjen vetëm 1 ditë pasi avokatët e Veliajt ankimuan në kushtetuese dekretin e presidentit.
Rama u ka kërkuar të përveshin mëngët e të prodhojnë një fitore historike për PS në këto zgjedhje në Tiranë me Ogerta Manastirliun.
Kur Tirana dhe 5 bashki të tjera shkojnë më 9 Nëntor në zgjedhje nga ky takim Rama ka lënë disa porosi e udhëzime për këtë proces ku në kryeqytet PS garon me Ogerta Manastirliun ndersa fushata udhëhiqet nga numri dy i qeverisë Belinda Balluku.
Kjo mbledhje ka shërbyer për të ndarë skuadrat të cilat do të punojnë në çdo njësi të Tiranës. Burime nga takimi i thanë Top Channel se në njësinë 5 një ndër më të mëdhatë në kryeqytet si forcë e shtuar në krah të Erion Braçes vinë Taulant Balla dhe Niko Peleshi.
Ish-deputeti i PS, Xhemal Qefalia, do të mbulojë bastionin e tij në zonën e Dajtit, Ministri Fatmir Xhafaj do të mobilizojë socialistët në njësinë 10. Sekretari i përgjithshëm i Ps Blendi Klosi bashkë Eduard Shalsi janë pjesë e fushatës në Tiranë. Edhe drejtuesi politik i Lezhës Ulsi Manja do të jetë pjesë e skuadrës së Tiranës. Igli Hasani dhe Bora Muzhaqi do të angazhohen në Njësinë Nr.8./tema