Foto ilustruese me AI- publikuar nga Rama

Kryeministri Edi Rama e ka nisur mëngjesin e sotëm me një ftesë për qytetarët e Vlorës, Beratit, Cërrikut, Matit dhe Tepelenës që të marrin pjesë në zgjedhjet e pjesshme për kryebashkiakët e rinj.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkroi:

“Mirëmëngjes 😊 dhe me ftesën për qytetarët e Vlorës, Beratit, Cërrikut, Matit e Tepelenës, për të votuar sot në zgjedhjet e pjesshme vendore për kryebashkiakët e rinj, ju uroj një të diel të paqtë 🫶”.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në këto pesë bashki kanë të drejtë vote rreth 334.539 qytetarë. Fushata elektorale për këto zgjedhje u zhvillua nga 1 deri më 7 nëntor, ndërsa dita e sotme shënon momentin e votimit.

Situata në terren: pjesëmarrje e ulët në mëngjes

Raportimet nga terreni tregojnë se procesi i votimit po zhvillohet në qetësi, por me pjesëmarrje të ulët në orët e para të mëngjesit.

Vlorë, deri në orën 10:16, në qendrën e votimit nr. 4498 të KZAZ nr. 87 kishin votuar vetëm 26 nga 715 zgjedhës me të drejtë vote. Gazetari Edmond Hoxhaj raporton se procesi “ecën me ritme të ngadalta”, ndërsa pjesëmarrja në disa qendra të tjera mbetet nën 2%.

Mat, situata paraqitet disi më ndryshe. Në qendrën e votimit nr. 0929/00 në Burrel, qytetarët po presin në radhë për të votuar, dhe sipas të dhënave të KQZ-së, pjesëmarrja në këtë bashki është më e larta deri tani, me rreth 6.2% të votuesve që kanë ushtruar të drejtën e tyre.

Berat, Tepelenë dhe Cërrik, raportimet e para flasin për një proces të qetë, por pa fluks të lartë votuesish.

Reagimet e kandidatëve

Në Mat, kandidati i pavarur Eduart Brahilika votoi mëngjesin e sotëm në qendrën e tij të votimit, ku u bëri thirrje qytetarëve që të dalin në zgjedhje, ndërsa denoncoi “praninë e punonjësve të administratës” në disa qendra votimi.
Ndërkohë, në Vlorë, kandidati Bardhyl Ribaj e cilësoi procesin “emërim dhe jo zgjedhje”, duke u shprehur se “kandidatët nuk u testuan dhe se fituesi është tashmë i paracaktuar”.

Pritet përditësimi i pjesëmarrjes

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të publikojë raportet e tjera gjatë ditës, ndërsa qendrat e votimit do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00. Në fund të ditës, pritet një përditësim i detajuar mbi pjesëmarrjen dhe mbarëvajtjen e procesit në pesë bashkitë ku po zhvillohen zgjedhjet e pjesshme.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu