Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka pranuar zyrtarisht ftesën e presidentit amerikan Donald Trump për t’iu bashkuar Bordit të Paqes, njoftoi zyra e tij këtë të mërkurë, pas një vale kritikash dhe debatesh ndërkombëtare.

Bordi i Paqes është një iniciativë e drejtuar personalisht nga Trump, e cila synon ndërmjetësimin dhe zgjidhjen e konflikteve globale, duke nisur nga Rripi i Gazës, si pjesë e fazës së dytë të planit amerikan për paqen në Lindjen e Mesme.

Fillimisht, ky bord ishte konceptuar si një grup i vogël liderësh botërorë që do të mbikëqyrnin armëpushimin në Gaza. Megjithatë, administrata Trump e ka zgjeruar ndjeshëm vizionin, duke e shndërruar atë në një platformë më të gjerë globale, me ftesa drejtuar dhjetëra shteteve dhe figurave kyçe ndërkombëtare.

Sipas burimeve amerikane, Trump ka lënë të kuptohet se Bordi i Paqes mund të shndërrohet në një mekanizëm të ri ndërkombëtar për ndërmjetësimin e konflikteve të mëdha, përtej Lindjes së Mesme.

Në bordin ekzekutiv bëjnë pjesë figura të njohura si Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, i dërguari special Steve Witkoff, Jared Kushner, ish-kryeministri britanik Tony Blair, CEO i Apollo Global Management Marc Rowan, presidenti i Bankës Botërore Ajay Banga, si dhe zëvendëskëshilltari i sigurisë kombëtare të Trump, Robert Gabriel.

Pranimi i Netanyahut shihet si një lëvizje me peshë politike, që pritet të ndikojë në zhvillimet e ardhshme diplomatike në rajon dhe më gjerë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu