Në Santa Claus Village, një nga atraksionet kryesore turistike, termometri ka shënuar 31 gradë të martën pasdite, duke thyer rekorde që datojnë që nga viti 1937. Kjo valë e nxehtësisë po ndodh në shumë pjesë të Finlandës veriore dhe Skandinavisë, sipas një studimi të botuar në revistën shkencore Nature.

Rovaniemi, qyteti brenda Rrethit Polar Arktik dhe i njohur si shtëpia zyrtare e Babagjyshit, regjistroi këtë javë një temperaturë të pazakontë prej 30°C, shumë më e lartë se mesatarja verore e zonës prej 20°C, njofton agjencia kombëtare finlandeze e motit. Në Santa Claus Village, termometri shënoi këtë nivel të lartë që rrallë shihet në këtë rajon, duke sinjalizuar një trend të përgjithshëm rritjeje të temperaturave në Evropën veriore për shkak të një vale të nxehtësisë që po përhapet në të gjithë kontinentin.

Banorët e Rovaniemit u drejtuan drejt liqeneve dhe plazheve për t’u freskuar, pasi verat zakonisht janë me mot më të butë. Sipas një studimi të botuar në revistën shkencore Nature, vera e vitit 2024 është ndër më të ngrohtat që prej vitit 1937 në Skandinavinë veriore.

Valët e nxehtësisë shkaktojnë viktima në Evropë

Valët e nxehtësisë në Evropë po sjellin pasoja serioze shëndetësore. Një studim i shpejtë i kryer nga Imperial College London dhe London School of Hygiene and Tropical Medicine vlerëson se rreth 2300 persona kanë humbur jetën në 12 qytete kryesore midis 23 qershorit dhe 2 korrikut për shkak të temperaturave ekstreme. Studimi thekson se ndryshimet klimatike e kanë trefishuar vdekshmërinë e kësaj vale nxehtësie në krahasim me një klimë më të freskët.

“Vdekjet nga nxehtësia mund të rriten shumë shpejt kur temperaturat arrijnë pragje që e bëjnë të pamundur për njerëzit më të ndjeshëm të përballojnë kushtet – një rritje prej vetëm 2 deri në 4 gradë në valën e nxehtësisë mund të bëjë ndryshimin mes jetës dhe vdekjes për mijëra njerëz,” tha klimatologja Friederike Otto, autore e raportit.

Masat për sigurinë e punonjësve dhe ndryshimet në turizëm

Disa vende evropiane, si Spanja dhe Greqia, kanë futur kufizime për oraret e punës gjatë pjesës më të nxehtë të ditës, ndërsa Italia dhe Franca lejojnë pushime të përkohshme pune në kushte ekstreme. Megjithatë, sindikatat dhe ekspertët e klimës vënë në dukje se zbatimi i këtyre masave është i pashqyrtuar dhe shpesh i varur nga vendimet e punëdhënësve.

Në sektorin e turizmit po ndodhin ndryshime të dukshme: turistët po shmangin destinacionet tradicionale të Jugut të Evropës gjatë verës së nxehtë, duke preferuar stinët pranverë dhe vjeshtë. Ndërkohë, vende si Irlanda, Norvegjia dhe Zvicra po regjistrojnë një rritje të numrit të vizitorëve, për shkak të klimës më të freskët.

Operatorët turistikë po përshtaten me këto trende, duke promovuar udhëtime jashtë sezonit dhe destinacione më pak të njohura me mot më të butë, duke reflektuar një ndërgjegjësim të rritur klimatik në planifikimin e pushimeve.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu