
Skuadra e Eagle Football Academy ka vizituar familjen e djaloshit “Te Artë” Martin Cani, me rastin e 1-vjetorit të ndarjes nga jeta të futbollistit të vogël.
Në këtë ditë të rëndësishme për familjen, drejtuesit dhe futbollistët i kanë dhuruar prindërve të Martin Canit një fanellë simbolike me numrin 26, numër që i është dedikuar atij pasi EFA ka aktualisht 25 lojtarë në përbërje. Me këtë gjest, Martin Cani është konsideruar zyrtarisht “lojtari i 26-të i skuadrës”.
Drejtuesit e akademisë kanë falënderuar prindërit, Engjell dhe Florina Cani, për mikpritjen e ngrohtë dhe kanë shprehur ngushëllimet e tyre për humbjen e tyre të pazëvendësueshme, duke e quajtur Martinin “një yll që ndriçon çdo natë mbi re”.
Eagle Football Academy njoftoi se ndeshja e së dielës ndaj Tomorit të Beratit do të jetë një dedikim i veçantë në kujtim të Martin Canit, ndërsa kanë përcjellë mesazhin:
“I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!” shkruan presidenti i ekipit, Andi Matraxhiu në rrjete sociale.






