
Një ngjarje e rëndë ndodhi dy ditë më parë (3 Mars) në zonën e njohur si Qafë Burrel, ku një masiv stoku kromi që grumbullohej nga përpunimi i këtij minerali është shembur, duke marrë me vete një fadromë me të cilën po punonte një punëtor.
Kërkimet për gjetjen e trupit të 29-vjeçarit A.Beshiri, vijojnë pa asnjë rezultat. Fabrika ishte marrë me qera nga 2 shtetas kinez pak muaj më parë.
Ndërkohë familjarët e 29-vjeçarit i cili ka mbetur i bllokuar nga masivi i dheut apelojnë për ndihmë të specializuar nga shteti për gjetjen e trupit të tij.
Babai i 29-vjeçarit i rrëfeu se ka 3 ditë që së bashku me familjarët e tij kërkojnë trupin e djalit me lopata dhe mjete rrethanore në mungesë të aparaturave të specializuara.
“Kërkoj ndihmë nga shteti për gjetjen e trupit të djalit. T’i gjejnë vetëm njërin gisht ta çoj te familja, se nuk ka gjë më të madhe në botë të humbasësh djalin në mal. I bëj thirrje shtetit, të sjellin aparatura të specializuara të gjej djalin dhe të di ku të hedh një tufë lule. Ka 3 ditë që vij me vëllezërit duke kërkuar me lopatë. Nuk ka asnjë lloj mjeti. Djali doli në 6 të mëngjesit nga shtëpia këtu, hëngri drekën dhe vazhdoi punën me ekskavator dhe e mori baseni para. Djali kishte 5 vite që punonte, me siguracione, me të gjitha. Nuk kanë si ta gjejnë djalin me lopata, ndaj i kërkoj shtetit ndihmë për mjete të specializuara. Babai, vëllai im tjetër po kërkojnë trupin. Ju lutem kërkoj ndihmë. Kaq mund të them”, shprehet babai i 29-vjeçarit.
Një tjetër i afërm i familjes bën thirrje për ndërhyrjen e shtetit me makineritë e duhura pasi terreni është shumë i thyer, teksa zbulon se hapësira e shtrirjes së masivit shkon në 8 km.
“Në momentin që po flasim më shumë janë vullnetarë dhe njerëz që vijnë nga fshatrat përreth, janë edhe disa ushtarë, policia, bashkia, por edhe ata janë njerëz si puna jonë dhe nuk besoj që ndihmojnë dot pa aparatura. Duhet të ndërhyjë shteti. Terreni është shumë i thyer. Makineritë nuk futen dot, pasi këtu ledha ka shkuar rreth 8 km”, shprehet i afërmi i të riut.
Lidhur me këtë ngjarje Policia e Klosit ka arrestuar drejtuesin 44-vjeçarin të kompanisë së kromit në Qafën e Burrelit, i cili akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”./tvklan.al