
Maria Kovalchuk është një modele ukrainase, e cila mbushi 20 vjeçe këtë muaj. E reja që kishte10 ditë që kishte humbur, është gjetur e hedhur buzë një rruge në Dubai me lëndime të rënda.
Mediat e huaja shkruajnë se Maria u pa për herë të fundit më 9 mars, kur u tregoi miqve se do të shkonte në një festë në një hotel me dy burra që u prezantuan si përfaqësues të industrisë së modës.
20-vjeçarja informoi nënën e saj, Anna, se do të qëndronte me ta gjatë natës, por më pas nuk pati asnjë njoftim për të.
Modelja kishte rezervuar një fluturim për në Tajlandë më 11 mars, por nuk u paraqit në aeroport. Familja dhe miqtë e saj, të shqetësuar, njoftuan autoritetet, të cilat nisën një hetim dhe kërkim për të.
Më 19 mars, Maria u gjet e gjakosur dhe e rrahur në një rrugë në Dubai, me fraktura në shtyllën kurrizore dhe gjymtyrë. Ajo u dërgua me urgjencë në spital, ku iu nënshtrua tre operacioneve për shpëtimin e jetës, dhe më pas një procedure të katërt. Aktualisht ndodhet në gjendje kritike dhe nuk është në gjendje të flasë.
“Supozohet se ajo shkoi në një festë, por organizatori nuk e pa atë atje. Maria është gjetur në spital në gjendje të rëndë, pa dokumente, pa telefon, dhe nuk mund të flasë”, tha nëna e saj për mediat ukraniase.
Ndërkohë mikja e saj, modelja ruse Angelina Doroshenkova, e cila ishte me Marian në Dubai dhe ishte ftuar në të njëjtën festë, vendosi të kthehej në Rusi pak ditë më parë.
Maria, e cila vjen nga qyteti Lviv në Ukrainën Perëndimore, njihet gjithashtu si aktiviste kundër luftës dhe ka marrë pjesë në një aktivitet solidariteti për sociologun rus Boris Kagarlitsky, i cili u dënua me pesë vjet burg për akuzën e “justifikimit të terrorizmit”./panorama