
Lideri i opozitës ruse, Alexey Navalny, i cili vdiq dy vite më parë në burg, është vrarë me një toksinë vdekjeprurëse që gjendet tek bretkosat helmuese të Amerikës së Jugut, sipas një deklarate të përbashkët të pesë shteteve europiane.
Britania e Madhe, Suedia, Franca, Gjermania dhe Holanda bëjnë të ditur se analizat e mostrave të marra nga trupi i Navalnyt konfirmuan praninë e epibatidinës, një substancë që nuk gjendet natyrshëm në Rusi. Sipas tyre, Moska “kishte mjetet, motivin dhe mundësinë” për ta helmuar atë gjatë kohës që mbahej në një koloni penale pranë Rrethit Arktik.
Zyrtarët rusë kanë mohuar vazhdimisht përgjegjësinë. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, e cilësoi pretendimin për helmim si “propagandë”.
Deklarata u publikua gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih, ku bashkëshortja e Navalnyt, Yulia Navalnaya, tha se kishte qenë e bindur që nga dita e parë se ai ishte helmuar. “Tani ka prova. Vladimir Putin e vrau me armë kimike,” u shpreh ajo, duke kërkuar që presidenti rus të mbahet përgjegjës.
Navalny ishte burgosur pasi u kthye në Rusi në vitin 2021 nga Gjermania, ku ishte trajtuar pas një helmimi me agjentin nervor Novichok. Një hetim i mëparshëm kishte implikuar shërbimin rus të sigurisë (FSB), akuzë që u mohua nga Kremlini.
Pesë vendet europiane njoftuan gjithashtu se i janë drejtuar Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, duke e cilësuar rastin si një shkelje të Konventës për Armët Kimike.
Navalny konsiderohej një nga kritikët më të fortë të Kremlinit dhe një kërcënim serioz politik për presidentin rus para vdekjes së tij.



