
Pas intervistimit të Adnan Xholit para anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe zyrtarëve të huaj, është shfaqur kandidatja tjetër për kreun e SPAK, Doloreza Musabelliu.
Ajo ka prezantuar platformën e saj për drejtimin e këtij institucioni, duke theksuar rëndësinë e një institucioni të pavarur dhe me integritet të pakompromis.
Musabelliu ka bërë thirrje për rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke garantuar se nëse do të zgjidhej, do të angazhohej për një drejtim të SPAK që të ketë besueshmëri dhe transparencë.
“Kandidimi im vjen si rrjedhojë e natyrshme e një karriere 21 vjeçare, synoj të ofroj një drejtim të pavarur dhe në rezultate konkrete në luftën kudër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha Musabelliu.
“Karriera ime ka filluar që nga 2004 në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Roli i SPAK, thelbësor në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Drejtimi i SPAK kërkon më shumë se vizion, kërkon njohjen në rrënjë të sistemit. Një grup çështjesh të tjera të hetuara prej meje janë dhe ato të trafikimit të qenieve njerëzore. Kam hetuar çështje për trafikimin e drogës dhe vrasje, nuk jam stepur, kam kryer detyrën time”, tha ajo ndër të tjera.
Ndërkohë e pyetur për një vlerësim për dy drejtuesit e mëparshëm të SPAK, Musabelliu u shpreh: Të bësh një krahasim mes dy drejtuese në dy periudha të ndryshme, është e vështirë ta bësh, sepse u ha ose u shton merita.. Kraja ka qenë në fillim, ne s’kemi pasur as godinë në atë kohë, nuk ishim akoma hetuesit, pra ishte një situatë shumë e vështirë për të punuar. Pra që të bësh një krahasim duhet të ketë kushte të njëjta. Gjithsecili për kushtet që kanë pasur kanë bërë maksimumin e tyre. Të bëjë një krahasim, do ishte e padrejtë, dhe për mua padrejtësitë nuk I toleroj. Unë asnjëherë nuk e krahasoj veten time me dikë tjetër.
Ndërkohë, sa i përket moscënimit të pavarësisë nëse do të kishte në dorë një çështje personale të një anëtari të KLP, prokurorja kandidate u përgjigj se do ta priste në zyrë për t’u njohur me çështjen, por shtoi me humor: Kafe… jo nuk ofroj./Gazeta Shqip






