
Momente paniku janë regjistruar në Porto Riko, ku gazetarja sportive italiane Eleonora Boi, bashkëshortja e basketbollistit të njohur Danilo Gallinari, është sulmuar nga një peshkaqen në plazhin e Isla Verde, në veri të vendit. Ngjarja ndodhi pasditen e 31 korrikut, teksa Boi ndodhej në det dhe u sulmua papritur nga një peshkaqen, i cili e ka kafshuar në kofshën e djathtë.
Gazetarja, e cila është shtatzënë me fëmijën e tretë të çiftit – pas Anastasia (5 vjeç) dhe Rodolfo (2 vjeç) – mori menjëherë ndihmën e parë në vendngjarje dhe më pas u transportua në Centro Medico Rio Piedras. Mediat lokale raportojnë se gjendja e saj shëndetësore është e qëndrueshme dhe nuk paraqet rrezik për jetën, si për të ashtu edhe për foshnjën që mban në bark.
Detaje të tjera lidhur me llojin e peshkaqenit apo përmasat e lëndimit nuk janë bërë ende publike. Megjithatë, burime zyrtare bëjnë me dije se situata është nën kontroll dhe se mjekët po monitorojnë nga afër gjendjen e Eleonora Boi.