
Policia e Korçës gjobit me 100 mijë lekë, i pezullon patentën për 3 muaj dhe i zbret 6 pikë prej saj, efektivit që u filmua teksa udhëtonte me makinë në sensin e kundërt në Pogradec.
Menjëherë pasi pamjet u bënë virale në rrjet dhe u denoncua, nisën hetimet dhe veprimet administrative. Burime zyrtare konfirmuan sot (19 gusht) masat e vendosura sipas ligjit nga Policia Rrugore, sapo është konfirmuar vërtetësia e informacionit.
Polici Th.K., ka lëvizur në sensin e kundërt me makinën e Policisë, një “Range Rover| me ngjyrë të bardhë.
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë:
“Në lidhje me një video të postuar në rrjetet sociale, ku shfaqet një automjet policie duke lëvizur në sens të kundërt të drejtimit të lëvizjes, në qytetin e Pogradecit, bëjmë me dije se: Për shkeljen e kryer, bazuar në pikën 12 të nenit 7 të Kodit Rrugor, drejtuesi i automjetit, shtetasi Th. K., punonjës policie i DVP Korçë, është ndëshkuar me masën administrative 10 000 lekë, i është pezulluar leja e drejtimit për 3 muaj dhe janë zbritur 6 pikë nga leja e drejtimit.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe i garanton ata se do të reagojë menjëherë dhe konform ligjit”./ shqiptarja