Një granatë dore është hedhur në orët e vona të mbrëmjes së të mërkurës në një lokal në qytetin e Pejës. Lajmin është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Driton Rugova, në një prononcim për Kosovapress. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në rrugën “Besnik Lajqi”, teksa nuk raportohet për persona të lënduar nga ky sulm.
“Sot rreth orës 02:05 minuta, Policia është informuar nga viktima se në rrugën “Besnik Lajqi” në Pejë, në një lokal, dyshohet se persona të panjohur kanë gjuajtur një mjet shpërthyes, në objektin e tij që dyshohet të jetë granatë dore. Të dyshuarit janë larguar në drejtim të panjohur, njësitet relevantë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, kanë dalur në vendin e ngjarjes dhe për rastin u njoftua po ashtu edhe Prokurori i Shtetit”, thekson për KosovaPress zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Driton Rugova.
Rugova bënë të ditur se policia është në kërkim të personave të dyshuar, ndërkohë që rasti cilësohet si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm. Fatmirësisht nga sulmi nuk ka pasur persona të lënduar.