
Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në qytetin e Pogradecit, ku një vajzë 10-vjeçare është sulmuar nga qeni i fqinjit në lagjen nr. 4, në hyrje të zonës “Goricë”.
Sipas informacioneve, në momentin e incidentit në vendngjarje ndodheshin dy vajza të mitura. Njëra prej tyre është kafshuar nga qeni dhe është tërhequr zvarrë për disa metra, duke pësuar lëndime që kanë kërkuar ndërhyrje të menjëhershme mjekësore.
Banorët e zonës shprehen se qeni në fjalë ka qenë problematik prej kohësh, duke krijuar shqetësim të vazhdueshëm për komunitetin. Sipas tyre, pavarësisht ankesave të përsëritura, nuk janë marrë masa nga pronari për të shmangur rrezikun.
Ngjarja është referuar për procedim penal, ndërsa e mitura ndodhet në spitalin e Pogradecit, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.



