
Në rrjetet sociale janë publikuar pamjet e momentit kur ndodh përplasja mes deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, dhe një qytetari mërgimtar, gjatë një interviste televizive në qendër të Prishtinës.
Ngjarja ka ndodhur në mes të sheshit, ku Zemaj po jepte një intervistë për mediat, kur një qytetar iu afrua duke e quajtur “rrenc”. Ata janë përplasur me fjalë dhe i pari qytetari ka ngritur grushtin dhe deputeti reagoi menjëherë dhe, sipas pamjeve, e goditi qytetarin.
Të dy palët kanë dhënë versionet e tyre për ngjarjen.
Në një reagim publik në rrjete sociale, Armend Zemaj shprehu keqardhje të sinqertë për veprimin, duke e cilësuar reagimin si të ndodhur “në afekt”.
“Një qytetar, nuk e di a ishte e rastit apo me qëllim të caktuar, më ofendoi dhe më provokoi me fjalë të papranueshme, para medias. Në atë moment reagova në mënyrë të vetëmbrojtjes në afekt, gjë e cila nuk përfaqëson as bindjet e mia personale, as parimet që unë përfaqësoj si deputet dhe anëtar i LDK-së,” – ka shkruar Zemaj.
Ai ka shtuar se duhej të ruante qetësinë dhe dinjitetin, duke theksuar se “dhuna, në çfarëdo forme, nuk është përgjigje e drejtë” dhe ka kërkuar falje publike për incidentin.
Nga ana tjetër, qytetari i përfshirë në përplasje, Nuha Osmani, ka deklaruar se është fyer rëndë, jo vetëm ai, por edhe familjarët e tij.
Gazetari Astrit Gashi, i cili ishte duke realizuar intervistën, konfirmoi se policia është njoftuar menjëherë dhe ka marrë të gjitha pamjet e xhiruara nga kamera për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Hetimet pritet të zbardhin nëse incidenti do të trajtohet si vepër penale apo si incident verbal dhe fizik me karakter të lehtë.




