
Janë të zakonshme njoftimet për mace apo qen të humbur, por një lepur i zi raportohet i humbur në zonën e Delijorgjit, duke ngritur shqetësim mes pronarëve dhe aktivistëve për mbrojtjen e kafshëve. Njoftimi është bërë publik nga organizata Animal Aid Albania, e cila apelon për ndihmën e qytetarëve të zonës.
Sipas informacionit të publikuar, lepuri është i trembur dhe nuk afrohet lehtë te njerëzit. Ai është parë duke u fshehur edhe poshtë automjeteve, çka e bën situatën të rrezikshme për sigurinë e tij.
Hera e fundit që lepuri është parë ka qenë rreth orës 17:30, moment i cili është fiksuar edhe në një video të shpërndarë në rrjetet sociale. Aktivistët kërkojnë që kushdo që ndodhet në zonë të jetë i vëmendshëm dhe të raportojë çdo informacion që mund të ndihmojë në gjetjen e kafshës.
Një shpërndarje apo njoftim i thjeshtë mund të ndihmojë që lepuri të mos largohet më tej nga zona dhe të rikthehet i sigurt në shtëpi.







