
Një ngjarje e pazakontë ka trazuar opinionin publik në Itali, ku një grua e quajtur Masa ka denoncuar publikisht një mikeshë që, sipas saj, i ka marrë macen dhe nuk pranon ta kthejë.
Historia nisi më 29 maj, kur Masa ia besoi macen e saj të dashur, Pambe, një shoqeje të afërt për një periudhë prove disa ditore, në mënyrë që më pas t’ia linte kur të shkonte me pushime gjatë verës.
Por ajo që duhej të ishte një marrëveshje mirëbesimi u shndërrua në një konflikt të thellë emocional dhe ligjor.
“Macen nuk ta jap më, është e imja,” thuhet se i deklaroi mikeshja që dikur e quante shoqe. Kjo frazë, sipas Masës, shënoi fillimin e një makthi të vërtetë.
View this post on Instagram
Masa, e cila ka qenë edhe mësuesja e anglishtes së vajzës që tani refuzon të kthejë macen, pretendon se fillimisht është përpjekur ta zgjidhë çështjen në mënyrë miqësore. Por pas refuzimeve të përsëritura dhe kërcënimeve të hapura me “avokatët më të mirë të botës”, ajo është drejtuar në polici për të bërë kallëzim.
“Ju mund të keni gjithë pushtetin e botës, por drejtësia është me mua,” deklaron Masa në një video që po qarkullon gjerësisht në rrjetet sociale. E përlotur dhe e tronditur, ajo thotë: “Unë dua vetëm një gjë – ta përqafoj sërish Pamben tim.
Ai nuk është thjesht një mace. Ai është djali im. Pa të, nuk mund të jetoj. Ju lutem, më ndihmoni.”
Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta në rrjet, me mijëra qytetarë që shprehin mbështetje për Masën dhe kërkojnë kthimin e menjëhershëm të kafshës së saj.