Një arsenal armësh dhe sendesh të paligjshme është zbuluar në një banesë në Tiranë, si rezultat i operacionit të koduar “Municioni”, zhvilluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1.

Policia njoftoi se operacioni u finalizua pas administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, të cilat sinjalizonin për mbajtje të kundërligjshme të armëve dhe municioneve në një banesë në rrugën “Pasho Hysa”.

Gjatë ndërhyrjes në banesën e dyshuar, efektivët e Policisë gjetën dhe sekuestruan:

* 7 karikatorë armësh,
* 4 armë të ftohta,
* 1 pistoletë me mulli,
* uniforma dhe mjete si të Policisë, përfshirë një shkop gome,
* si dhe një sasi të konsiderueshme municioni.

Të gjitha këto sende u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa poseduesi i tyre, shtetasi A. D., 64 vjeç, u arrestua në flagrancë.

Ai akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, si dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme ligjore.

Policia e Tiranës thekson se operacionet për evidentimin dhe goditjen e mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve do të vijojnë pa ndërprerje, dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të ngjashëm në numrin 112 apo përmes Komisariatit Dixhital.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu