Rezultatet paraprake tregojnë se Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë (FPO) ka epërsi ndaj konservatorëve në pushtet në votimet e së dielës në Austri dhe po shkon drejt fitores së parë në zgjedhje parlamentare.
Parashikimet e televizionit publik ORF, bazuar në numërimin e 82.8 për qind të votave, tregojnë se Partia e Lirisë ka siguruar 28.9% të votave, ndërsa Partia Popullore Austriake e kancelarit Karl Nehammer 26.3%.
Herbert Kickl, një ish-ministër i brendshëm që ka udhëhequr Partinë e Lirisë që nga viti 2021, synon të bëhet kancelari i ri i Austrisë, nëse parashikimet konfirmohen, gjë që do ta bënte partinë e tij të parën forcë politike të ekstremit të djathtë që fiton në zgjedhjet kombëtare në Austrinë e pas Luftës së Dytë Botërore.
Por për t’u bërë udhëheqësi i ri i Austrisë, atij do t’i duhet një partner koalicioni dhe kryetarët a partive të tjera e hodhën poshtë mundësinë që të bashkëpunojnë me të.
Një fitore e Partisë së Lirisë do të shkaktonte mosmarrëveshje brenda Bashkimit Evropian për luftën në Ukrainë.
FPO kishte kryesuar sondazhet për muaj të tërë, por epërsia e saj ndaj Partisë Popullore Austriake (OVP) konservatore të kancelarit Karl Nehammer, pothuajse ishte zhdukur në një fushatë ku kanë mbizotëruar shqetësimet e votuesve mbi ekonominë dhe emigracionin.
“Gjëja më e rëndësishme është nëse do të jetë FPO-ja që do të ketë të drejtën të emërojë kancelarin apo jo. Nëse ndodh një gjë e tillë, atëherë duhet të them se roli i Austrisë në Bashkimin Evropian do të ndryshojë thellësisht. (Kreu i FPO-së Herbert) Kickl ka thënë shpesh se (kryeministri hungarez) Viktor Orban është model për të”, thotë Kathrin Stainer-Haemmerle, profesore e shkencave politike në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Carinthia.
Kancelari Nehammer e kishte paraqitur veten si një burrë shteti dhe e përshkruan rivalin e tij, udhëheqësin e FPO-së, Kickl, si një kërcënim toksik.
Zoti Kickl e ka quajtur veten një mbrojtës të neutralitetit austriak dhe ka thënë se do të pastrojë vendin pas viteve të dështimeve në qeverisje.
Një fitore e FPO-së do ta bënte Austrinë vendin më të fundit të BE-së që shënon mbështetje në rritje të së djathtës ekstreme, pas forcimit të kësaj prirjeje në vende si Holanda, Franca dhe Gjermania.
FPO euroskeptike, e cila është kritike ndaj fesë Islame dhe ka premtuar rregulla më të ashpra për azilkërkuesit, fitoi një votë kombëtare për herë të parë në qershor, kur mundi OVP-në me më pak se një për qind në zgjedhjet evropiane.
OVP, e cila ashtu si FPO mbështet rregulla më të ashpra të imigracionit dhe ulje taksash, është e vetmja parti e hapur për të formuar një koalicion me partinë e ekstremit të djathtë. Megjithatë Kancelari Nehammer thotë se partia e tij nuk do të formojë një qeveri nëse zoti Kickl është pjesë e saj./voa