
Një zbulim i rrallë arkeologjik është bërë në fshatin Strikça të Bulqizës, në vendin e quajtur “Fusha e Gurrës”, ku është evidentuar një varr monumental i periudhës romake, i datuar ndërmjet shekujve III-IV pas erës sonë.
Gjatë punimeve kërkimore-shkencore në Luginën e Bulqizës, të drejtuara nga akad. Adem Bonguri dhe Msc. Erikson Nikolli, u zbulua një monument varrimor unik, me përmasa rreth 9 metra me 6 metra dhe me dhoma funerare 2.40 metra të larta.
Arkeologu Erikson Nikolli theksoi rëndësinë e këtij objekti, i cili përveç arkitekturës mbart edhe të dhëna arkeologjike e epigrafike të jashtëzakonshme. Për herë të parë në Dibër është zbuluar një mbishkrim romak dygjuhësh, që i kushtohet të ndjerit të varrosur aty, një individ i quajtur Gelliano, si dhe një dedikim për perëndinë më të rëndësishme të Romës antike, Jupiterin.
Megjithëse i grabitur në lashtësi dhe në periudha të mëvonshme, varri ruante pjesë të inventarit funerare, mes tyre enë qelqi të tipologjive të ndryshme, krehër kocke, thika dhe fragmente tekstili të thurura me fije ari, me të cilat ishte mbështjellë trupi i ndjerit.
Struktura përbëhet nga tre ambiente: dhoma e varrimit, paradhoma dhe një shkallare monumentale, muret e së cilës ruhen ende me dekorime gjeometrike në stuko. Gjithashtu, arkeologët kanë evidentuar në pjesën e sipërme struktura muresh që sugjerojnë se monumenti mund të ketë pasur tiparet e një mauzoleumi.
Në afërsi të varrit monumental është gjetur edhe një mbishkrim tjetër funerar, i cili është i dëmtuar dhe pret të analizohet më tej.
Materialet ndërtimore përfshijnë gurë të mëdhenj të punuar në formë kornizash, të sjellë nga gurore jashtë zonës. Inventari i zbuluar, teknikat e ndërtimit dhe mbishkrimet e gjetura e datojnë këtë monument unik në periudhën romake të shekujve III-IV.
Arkeologët presin që vijimi i gërmimeve të sjellë të dhëna të reja që do të pasurojnë më tej hartën arkeologjike të Shqipërisë.