
Më datë 26 shkurt është arrestuar me urdhër ndalimi nga SPAK, me masë sigurie “arrest në burg”, shtetasja E.A, në akuzën “Përkrahja e autorit të krimit”.
Vizion Plus mëson se shtetasja E.A është e dashura e Safet Bajrit.
Ajo është arrestuar nga forcat e policisë kriminale pranë drejtorisë së përgjithshme pak ditë pas arrestimit të Bajrit.
Shtetasja E.A dyshohet e përfshirë në vrasjen e xhaxhait të Ibrahim Licit.
Safet Bajri u arrestua më 21 shkurt 2025. Disa prova të reja të siguruara përmes zbërthimit të aplikacioneve SkyEcc, shtuan dyshimet e SPAK se Safet Bajri, kushëriri i tij Behar Bajri si dhe Asmer Bilali, janë përfshirë në vrasjen e Fatbardh Licit.
SPAK e akuzon grupin kriminal për planifikimin dhe vrasjen e Fatbardh Licit në vitin 2018 në lagjen “Kiras” të Shkodrës. Fatbardh Lici ishte xhaxhai i Ibrahim Licit, rival i Bajrave. Sipas grupit hetimor, motivi i vrasjes lidhet me dyshimin e Behar Bajrit se Ibrahim Lici kishte vrarë një pjesëtar të grupit të tyre, ish-policin Boran Bërçana.
Ndaj Safet dhe Behar Bajrit dhe Astmer Bilalit rëndojnë akuzat vrasje me paramendim, grup i strukturuar kriminal dhe kryerja e veprave penale nga organizata kriminale.
Ndërkohë një tjetër dosje e bujshme në duart e SPAK është edhe masakra e Dobraçit ku humbën jetën Hamza Lici dhe Arlind Bushati, si dhe bashkëshortët Flutura dhe Bashkim Basha.
Në vendin e ngjarjes u vu re edhe një i ri që dyshohet se është Ibrahim Lici, i shpallur në kërkim./vizionplus.tv