
Autoriteti i Konkurrencës ka hapur hetim të thelluar ndaj dy kompanive të ofrimit të shërbimeve celulare në vend, Vodafone Albania dhe One Albania. Siç kishte paralajmëruar në muajin tetor, gjatë raportimit në Kuvendin e Shqipërisë, Autoriteti i Konkurrencës gjatë fazës së hetimit paraprak të tregut ka gjetur elementë që mund të tregojnë sjellje anti-konkurruese nga dy operatorët celularë. Në argumentimin e vendimit, Autoriteti i Konkurrencës shprehet se tregu me pakicë i shërbimeve celulare në Shqipëri paraqitet si një duopol, ku dy operatorët në fjalë zotërojnë së bashku 100% të tregut. Kjo strukturë tregon një përqendrim të lartë tregu dhe një nivel të kufizuar konkurrence efektive, duke krijuar kushte të favorshme për pozitë dominuese kolektive. Nga hetimi paraprak që përfshiu periudhën nga 1 janari 2022 deri më 25 korrik 2025, është konstatuar se ndërmarrjet Vodafone Albania dhe One Albania kanë ndjekur një sjellje të ngjashme tregtare në lidhje me ofertat e tyre të shërbimeve celulare, përfshirë paketat me parapagesë, me kontratë dhe shërbimet roaming. Në këtë periudhë, vihet re një rritje progresive dhe pothuajse e sinkronizuar e çmimeve, ndërkohë që nuk rezulton që këto ndërmarrje të kenë përdorur një metodologji të përllogaritjes së kostove, që do të justifikonte ndryshimet e çmimeve të aplikueshme në treg. Nga analiza e zhvillimeve të çmimeve rezulton se, sa herë një nga operatorët ka rritur çmimet e paketave celulare, operatori tjetër e ka ndjekur brenda një periudhe të shkurtër kohore me një rritje të ngjashme, si në nivel çmimi, ashtu edhe në strukturën e paketës (minuta, internet, SMS, vlefshmëri etj.). Kjo tregon një reagim të menjëhershëm dhe simetrik, që mund të interpretohet si praktikë e bashkërenduar, në kuptimin e ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Analiza e ofertave tregon se paketat e ofruara janë pothuajse identike në çmim dhe përmbajtje (sasi interneti, minuta kombëtare, përfshirje roaming etj.), duke kufizuar ndjeshëm mundësinë e zgjedhjes për konsumatorët dhe duke reduktuar presionin konkurrues ndërmjet operatorëve. Ky homogjenitet i produkteve, i kombinuar me mungesën e transparencës në kosto, përbën një rrezik për koordinim të sjelljes së ndërmarrjeve, që synon ruajtjen e një niveli të qëndrueshëm çmimesh dhe fitimesh në treg. Autoriteti i Konkurrencës thekson se asnjë nga ndërmarrjet nuk ka paraqitur dokumentacion që të dëshmojë se çmimet janë përllogaritur mbi bazën e një analize të kostove reale të shërbimeve. Në mungesë të një metodologjie të qartë, rritjet e çmimeve mund të konsiderohen si të pajustifikuara ekonomikisht dhe si rezultat i një sjelljeje të orientuar drejt ndjekjes së një modeli të përbashkët tregtar, më shumë sesa drejt konkurrencës përmes inovacionit apo eficiencës. Në konkluzion, Autoriteti i Konkurrencës shprehet se në kushtet kur tregu paraqet strukturë duopolistike; vihet re një sinkronizim në rritjen e çmimeve dhe oferta pothuajse të njëjta në çmime dhe përmbajtje; mungon transparenca dhe metodologjia kosto-çmim, atëherë sjellja e ndërmarrjeve Vodafone Albania dhe One Albania mund të përbëjë shkelje të ligjit, “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Hetimi i thelluar do të përfshijë periudhën kohore nga 1 janar 2022 deri në 18 nëntor 2025./Monitor.al






