Shkëlqim Duka, 48 vjeç, oficer policie dhe Florian Duka, 45 vjeç (vëllezër) janë arrestuar nga policia e Tiranës.
Dyshohet se dy vëllezërit janë autorët e vrasjes së biznesmenit Eduart Reçi, ngjarje e ndodhur më 13 nëntor 2024 në Rrugën e Elbasanit.
U ekzekutua me një plumb në kokë te rruga e Elbasanit, zbardhet vrasja e Eduart Reçit. Autorët vëllezër, njëri prej tyre oficer Policie
Reçi u ekzekutua me një plumb në kokë poshtë pallatit ku jetonte. Vëllezërit Duka dyshohen për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” e kryer ne bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Gjatë kontrolit të ushtruar në ambientet e lokalit dhe banesës së 2 vëllezërve dhe në magazinën e lokalit, policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pjesërisht e dëmtuar, gjashtë objekte cilindrike te ngjashme me silenciatorë me përmasa të ndryshme, pjesë dhe mekanizma të ndryshëm që përdoren për silenciatorët, dy jelekë antiplumb dhe pajisje të ndryshme elektronike të cilat dokumentojnë veprimtarinë dhe dinamikën e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se Eduart Reçi po angazhohej për të ndërtuar një pallat, ndërtimi i të cilit kërkonte bashkëpunim dhe dakortësim edhe me persona të tjerë (kufitar me pronën e viktimës).
Ndër personat me të cilët Reçi kishte diskutuar lidhur me këtë problematikë dhe ka pasur konflikt mbi pronësinë e truallit, janë vëllezërit Florian dhe Shkëlqim Duka.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje, njoftoi policia ditën e sotme.
NGJARJA
Eduart Reçi u ekzekutua në një atentat të organizuar pranë pallatit ku jetonte, të cilin e kishte ndërtuar edhe vetë.
Autorët e krimit raportohet se kanë pritur derisa Eduart Reçi të dilte nga banesa dhe e kanë qëlluar, dyshohet, nga distanca.
Bizmesmeni i ndërtimit, i cili dikur ka qenë punonjës i SHISH, mori një plumb të vetëm në kokë dhe u dërgua te Trauma, por nuk arriti të mbijetonte.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së mërkurës (13 Nëntor) rreth orës 23:00, në rrugën “Faik Konica”, ndërsa mësohet se kamerat e sigurisë kanë filmuar vetëm momentin kur vikima është qëlluar me plumb dhe është rrëzuar në tokë, por jo atentatorët.
Biznesmeni është baba i dy fëmijëve, ndërsa familjarët kanë deklaruar se nuk kanë pasur konflikte./vizionplus.