Të paktën dy persona raportohet se kanë humbur jetën gjatë përplasjeve mes protestuesve dhe forcave të sigurisë në Irani, në ditën e pestë të protestave të shkaktuara nga rritja e kostos së jetesës dhe rënia e fortë e monedhës kombëtare.

Sipas agjencisë gjysmëzyrtare Fars dhe grupit për të drejtat e njeriut Hengaw, viktimat u shënuan në qytetin Lordegan, në jugperëndim të vendit. Fars citoi burime zyrtare pa sqaruar nëse të vrarët ishin protestues apo pjesëtarë të forcave të sigurisë, ndërsa Hengaw tha se bëhet fjalë për dy protestues, të identifikuar si Ahmad Jalil dhe Sajjad Valamanesh. BBC Persian thekson se këto vdekje nuk janë verifikuar ende në mënyrë të pavarur.

Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë makina të djegura dhe përplasje të ashpra mes protestuesve dhe forcave të rendit. Video të verifikuara nga BBC Persian dokumentojnë protesta në Teheran, Lordegan dhe Marvdasht.

Image

Ndërkohë, mediat shtetërore raportuan se një anëtar i forcave të sigurisë i lidhur me Garda Revolucionare Islamike është vrarë në përplasje në Kuhdasht, në provincën Lorestan. Ky informacion po ashtu nuk është verifikuar dhe protestuesit pretendojnë se personi i vrarë ishte një prej tyre.

Sipas raportimeve zyrtare, 13 policë dhe anëtarë të Basij janë plagosur nga hedhja e gurëve. Për të frenuar përshkallëzimin, autoritetet mbyllën shkolla, universitete dhe institucione publike, duke shpallur një pushim zyrtar—zyrtarisht për kursim energjie për shkak të motit të ftohtë, por i interpretuar gjerësisht si përpjekje për të kufizuar protestat.

Protestat nisën të dielën në Teheran, fillimisht nga tregtarë të zemëruar pas një kolapsi të ri të monedhës kundrejt dollarit amerikan, dhe më pas u përhapën në disa qytete me përfshirjen e studentëve universitarë. Disa thirrje kanë kërkuar fundin e sundimit të Udhëheqësit Suprem, ndërsa të tjera rikthimin e monarkisë.

Presidenti Masoud Pezeshkian deklaroi se qeveria do të dëgjojë “kërkesat legjitime” të protestuesve, ndërsa Prokurori i Përgjithshëm Mohammad Movahedi-Azad paralajmëroi për një “përgjigje vendimtare” ndaj çdo përpjekjeje për destabilizim.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu