Dy të miturit që mbetën të plagosur në atentatin e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Tiranë janë nisur për mjekim jashtë Shqipërisë.

D. Demiraj, 11 vjeç, dhe vëllai i tij M. Demiraj, 17 vjeç, do të transportohen me avion sanitar drejt spitalit “Bambino Gesù” në Romë, Itali, ku do të marrin trajtim mjekësor më të specializuar.

Raportohet se gjendja shëndetësore e 11-vjeçarit vijon të paraqitet e rëndë.

Ngjarja e rëndë ndodhi teksa katër persona po udhëtonin me një automjet tip “G-Class”, kur u qëlluan me breshëri armësh nga persona ende të paidentifikuar në Lundër, pranë Tregut Agro Ushqimor, pasi u ndoqën që nga rrethrrotullimi i Shkozës.

Në makinë ndodheshin Arenc Stafa (34 vjeç), i cili ishte drejtuesi i mjetit, Kian Mullahi (19 vjeç) dhe dy të miturit. Sipas dëshmisë së shoferit, sulmi me armë zgjati për afro 1.5 kilometra. Ata po ktheheshin nga festa e ditëlindjes së 11-vjeçarit.

Vëllezërit e mitur janë djemtë e presidentit të kompanisë së sigurisë private, Pelikani Security, ndërsa 19-vjeçari Mullahi rezulton të jetë djali i Elona Mullahit, anëtare e bordit të korporatave në Raiffeisen Bank dhe drejtoreshë e një dege të Raiffeisen Bank.

Hetuesit kanë ngritur dyshime të forta se ngjarja është e lidhur me atentatin në Pllanë të Lezhës, ku u vra Gjovalin Prendi, babai i Roan Brahimit – ky i fundit i ekzekutuar më herët në Greqi dhe i njohur si rival i Ervis Martinajt.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se objektiv i atentatit në Lundër ka qenë gruaja e Roan Brahimit. Ajo lëviz me një mjet të ngjashëm me atë që ndodhej në vendin e ngjarjes dhe banon pranë familjes Demiraj, duke shtuar dyshimet se sulmuesit mund të kenë ngatërruar objektivin.

Por jo vetëm kaq pasi mjeti “G Class” në pronësi të familjes Demiraj dhe mjeti që përdorte gruaja e Roan Brahimit, kishin pothuajse të njëjtën targë, por u ndryshonte vetëm një shkronjë. Mjeti ndaj të cilit u qëllua kishte targën “AA 002 MD”./joq

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu