
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur sot në Indi, ku një avion i kompanisë Air India, me 242 persona në bord, është rrëzuar mbi një zonë të banuar, vetëm pak minuta pas ngritjes nga aeroporti i Ahmedabad-it. Destinacioni i tij ishte Londra. Deri më tani, autoritetet kanë konfirmuar shumë viktima, përfshirë edhe civilë në tokë, por në një kthesë të papritur të ngjarjeve, mediat raportojnë për dy të mbijetuar.
Njëri prej tyre është Ramesh Vishwaskumar, 40 vjeç, shtetas britanik, i cili është gjetur i gjallë mes rrënojave. Ai ishte ulur në vendin 11A dhe ndodhet aktualisht në spital, në kujdes intensiv. Sipas burimeve nga terreni, Vishwaskumar ka arritur të flasë me personelin mjekësor dhe ka rrëfyer momentet e tmerrshme:
“Kudo kishte trupat e pajetë të pasagjerëve. Nuk e besoja që isha gjallë. U ngrita, pashë copa avioni përreth dhe vrapova. Dikush më kapi dhe më çoi me ambulancë në spital.”
Ai kishte qenë për një vizitë familjare në Indi së bashku me vëllanë e tij, i cili gjithashtu ndodhej në bord:
“Nuk po e gjej vëllanë tim. Ju lutem, më ndihmoni ta gjej,” ka thënë ai mes lotësh.
Autoritetet indiane fillimisht deklaruan se nuk kishte të mbijetuar, por më vonë burime të mediave si Times of India dhe Hindustan Times bënë të ditur se janë gjetur dy persona të gjallë. Gjendja e të dytit nuk është konfirmuar ende.
Avioni, një Boeing 787, goditi një konvikt studentësh mjekësie, duke shkaktuar viktima edhe në tokë. Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë një zonë të shkatërruar plotësisht, me rrënoja, valixhe të shpërndara dhe tym që del nga mbetjet e avionit.
Hetimet kanë nisur, ndërsa e gjithë India është në zi. Kjo tragjedi ka tronditur opinionin publik dhe është një nga ngjarjet më të rënda ajrore të viteve të fundit.