
Për herë të parë në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar dy raste të lisë së majmunëve, njoftojnë nga Instituti i Shëndetit Publik, transmeton TV21.
Pacientët u testuan me rekomandimin e Klinikës së Sëmundjeve të Lëkurës, dhe përveç lisë së majmunëve, u kryen edhe teste për HIV, sifiliz dhe herpes.
Epidemiologët nga Instituti i Shëndetit Publik kanë nisur një anketë të individëve të infektuar për të mbledhur informacionin e nevojshëm për mbrojtje dhe kontroll të mëtejshëm. Pacientët udhëzohen të kontaktojnë Klinikën e Sëmundjeve Infektive për monitorim dhe trajtim.
Nga Instituti theksojnë se nuk ka vend për panik, pasi të gjitha institucionet po marrin shpejt dhe profesionalisht masat e nevojshme për të parandaluar përhapjen e sëmundjes.
Transmetimi i lisë së majmunit nga njeriu te njeriu mund të ndodhë nëpërmjet kontaktit me material të infektuar ose lëngje nga lëkura, goja ose organet gjenitale, duke përfshirë prekjen, kontaktin e ngushtë dhe marrëdhëniet seksuale. Mund të përhapet edhe nëpërmjet pikave gjatë të folurit, kollitjes ose teshtitjes./RTV 21