
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar sot se Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb, duke rrëzuar kështu qëndrimin e kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, i cili më 30 gusht e kishte mbyllur seancën konstituive pa përmbushur këtë procedurë.
Gjatë asaj seance, pas disa raundeve të votimit në të cilat asnjëri nga kandidatët serbë nuk mori votat e nevojshme, ndërsa disa të tjerë refuzuan të kandidonin, Basha deklaroi se janë “ezauruar të gjitha opsionet” dhe shpalli seancën të përfunduar.
“Ne si Kuvend nuk kemi mundësi tjetër për sa i përket nënkryetarit që vjen nga komuniteti serb. Me këtë rast konsideroj që kemi ezauruar edhe pikën e katërt të rendit të ditës të seancës konstituive dhe seanca konsiderohet e përmbyllur”, tha atëherë Basha.
Ai theksoi gjithashtu se Kuvendi “duhet të vazhdojë punën” si institucion i konstituuar, megjithëse anëtarët e Kryesisë nga partitë e tjera shqiptare nuk morën pjesë në mbledhjen pasuese, duke e lënë atë pa kuorum funksional.
Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese hedh poshtë interpretimin e Bashës, duke theksuar se procesi i konstituimit nuk mund të mbyllet pa përfshirjen e përfaqësuesit të komunitetit serb në strukturën drejtuese të Kuvendit.
Ky është lajmi i dytë negativ për Bashën brenda ditës. Më herët, Gjykata Themelore në Ferizaj e dënoi për shpifje, duke e detyruar të paguajë 25 mijë euro dëmshpërblim dhe të kërkojë falje publike.