NGA ARMIR SHKURTI

Në ’90 unë dola “në mal” për të rrëzuar komunizmin. Kur Alia e ktheu PPSH në PSSH dhe kryetar vendosi këtë që iku sot, urrejtja ime ra mbi këtë Nanon e panjohur deri atë ditë. “Ky qen bir qeni do të mbajë gjallë komunizmin”?

Më 30 korrik 1993 mu bë zemra mal kur e arrestuan Nanon. Isha ende një djalosh që s’njihte tjetër regjim veç luftës së klasave. Atë pasdite socialistët organizuan një protestë. Mua më ngarkuan të bëja kronikën. Kisha pak kohë që punoja në RTSH…

Pak javë më vonë nisi gjyqi. Mua më caktuan të ndiqja çdo seancë. Ky çast shënoi karrierën time. Edhe pse urreja komunizmin, kisha luftuar familjarisht për rrëzimin e tij, Nanon e shihja si përfaqësuesin më të lartë të të kuqes, i dhashë karar ta ndaj punën nga emocioni, profesionin nga bindjet.

Por ai gjyq më dha edhe një shuplakë të përbindshme, xixat e së cilës i kam edhe sot nëpër sy: Për fat të keq, sistemi i ri po lindte nga mitra e infektuar e të vjetrit! Drejtësia dhe sistemi i së drejtës ishin në thelb vazhdim i së njëjtës trashëgimi.

Gjykatësi Agim Bendo – “I pandehur! Përse ju pranuat konserva peshku ton ndërkohë që populli kishte nevojë për miell, vaj, oriz?”

Sokrat Plaka (ish-ministër i jashtëm) – “I nderuar zoti gjykatës! Ne u thamë italianëve se për çfarë kishim nevojë. Por ata na u përgjigjën: Kalit të falur nuk i shihen dhëmbët.”

Dhe e dënuan! Bëri 4 vite pa 4 muaj e gjysmë. Kur ishte në burg i vdiq e ëma. E çuan me pranga në varrim.

Ata që e kanë pasur njohur para ’90-ës e mbajnë mend Tosin gjithmonë përdore me Xhinën. Burgu bëri të vetën. Kur doli, s’gjeti më ç’kish lënë. Mbase edhe 45 muajt pas hekurave, mes kriminelëve më të frikshëm të vendit, i ndikuan perspektivën e jetës. Unë e di që ju jeni me shumë karakter dhe e shpërfillni alkoolin, por jo të gjithë janë kaq të fortë, e sidomos në kaq kohështrirje.

Për ironi, gjatë rikthimit të Nanos, PS u bë partia me më shumë demokraci, diversitet dhe mendim ndryshe në vend. Deri ditën kur iku. Pas 8 vitesh qeverisjeje, një natë të ngrohtë të dielë, krejt paqësisht tha: “Kush do të brohorasë ‘fitore’ le të shkojë tek selia tjetër.” Dhe u tret. Vinte në Kuvend vetëm për të ruajtur mandatin dhe, siç duket, në pjesën tjetër luftonte me demonët që s’e linin rehat që nga dreka e 30 korrikut 1993. Me alkool? Me ruletë? Me udhëtime? S’është punë për mua. Unë thjesht ndjeva mëshirë për të në vjeshtë të ’93-shit dhe respekt në shtator ’97, kur më shprehu konsideratë si profesionist.

Dy gabime, le t’ia falë Perëndia, tashmë të ndjerit Fatos Nano:

  1. Për të parin, ka shprehur vetë pendesë: “E solla nga Franca me thonj të paprerë.”
  2. E dyta: QË NUK FOLI!

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu