Rashela Shehu

Që nga ora 07:36’ e së shtunës, transmetimi i kanalit informativ News 24 është ndërprerë, duke shfaqur vetëm shiritat vertikalë me ngjyra që tregojnë mungesën e sinjalit. Grupi mediatik me rreth 250 punonjës, ku përfshihen redaksitë e News 24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare, e cilësoi veprimin si një goditje ndaj lirisë së shprehjes. Sipas drejtuesve, autoritetet kanë kërkuar që godina t’i kalojë kompanisë shtetërore “KAYO”, e specializuar në prodhimin dhe tregtimin e armëve.

“Kjo mbyllje sinjali u bë pa një vendim shkresor paraprak, por në formë arbitrare” – deklaroi për mediat drejtoresha e përgjithshme e News 24, Anila Jole.

Reagime të forta nga opozita dhe organizatat e gazetarëve

Me nisjen e aksionit të policisë, analistë dhe drejtues të opozitës e kanë cilësuar ndërhyrjen si një sulm të paprecedent ndaj medias. Reagime kanë ardhur edhe nga organizata dhe shoqata të gazetarëve.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë e përshkroi situatën si “një shkelje flagrante të parimeve themelore të demokracisë dhe të lirisë së shprehjes, të garantuara nga Kushtetuta dhe aktet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”. Organizata theksoi se “ndërhyrja e policisë, që pengon drejtpërdrejt punën e gazetarëve, është e papranueshme dhe përbën presion të hapur ndaj medias së lirë”.

Edhe rrjeti “SafeJournalists Shqipëri” reagoi në facebook, duke e cilësuar situatën si pengesë për qasjen e gazetarëve në redaksi dhe një kufizim të aftësisë së tyre për të punuar. “Veprime të tilla rrezikojnë lirinë dhe pavarësinë e medias,” shkruhet në deklaratën e publikuar në facebook, ku theksohet se rrjeti po e monitoron nga afër zhvillimin e ngjarjes.

Policë dhe një automjet policie qëndrojnë në oborrin e kompleksit të ndërtesave ku ndodhet kompania mediatike News 24 në TiranëPolicë dhe një automjet policie qëndrojnë në oborrin e kompleksit të ndërtesave ku ndodhet kompania mediatike News 24 në Tiranë
​​Godina e televizionit, e vendosur në ish-Uzinën e Autotraktorëve në lagjen Shkozë të Tiranës, u rrethua nga forcat e policisë, që kërkuan nga punonjësit e medias lirimin e mjediseve.Fotografi: Rashela Shehu/DW
“Ne shpresojmë që Gjykata do të marrë një vendim të drejtë të hënën dhe të pezullojë këtë ndërhyrje, për t’i dhënë kohë televizionit që të zhvendoset në një mjedis tjetër” – deklaroi drejtoresha e përgjithshme e News 24, Anila Jole, duke shtuar se transmetimi do të vijojë në platformat sociale.

Avokatura e Shtetit: Kontrata e qirasë për godinën ka përfunduar

Në një deklaratë për shtyp, Avokatura e Shtetit bëri të ditur se kontrata e qiramarrjes së mjediseve të ish-Uzinës së Autotraktorëve nga shoqëria “Fokus Media News” ka përfunduar në vitin 2022. Sipas institucionit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë kishte kërkuar lirimin e godinës deri më 25 korrik 2022, por subjekti nuk e kishte dorëzuar pronën në mënyrë vullnetare.

Çështja është shqyrtuar në të gjitha shkallët e gjyqësorit, ndërsa vendimi më i fundit, i datës 14 korrik 2025, i Gjykatës së Apelit Administrativ, konfirmoi detyrimin për lirimin e menjëhershëm të ambienteve. Sipas ketij vendimi, nuk cënohet veprimtaria mediatike e shoqërisë, pasi bëhet fjalë vetëm për mjedise pune që mund të sigurohen në hapësira të tjera, në pronësi ose me qira.

“Fokus Media News” e kundërshtoi deklaratën, duke akuzuar Avokaturën e Shtetit për keqinformim dhe duke këmbëngulur se ambientet janë pronë e saj, me dokumentacion të rregullt.

Godina pritet t’i kalojë kompanisë shtetërore “KAYO”, e specializuar në prodhimin dhe tregtimin e armëve. E themeluar në vitin 2024, “KAYO” operon në industrinë e mbrojtjes dhe sigurisë, duke ofruar produkte dhe shërbime për Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe për tregjet ndërkombëtare. Në mars 2025, qeveria miratoi një vendim që i kalon pronësinë e ish-Uzinës së Autotraktorëve kësaj kompanie.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu