
Durrës, 31 maj 2025 – Policia e Durrësit ka arritur të zbardhë ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor “Katër Rrugët e Fllakës – Katund Sukth”, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 36-vjeçar.
Pas hetimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë, është identifikuar dhe shpallur në kërkim autori i dyshuar i ngjarjes, shtetasi K. K., 30 vjeç, banues në Kavajë.
Sipas hetimeve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:30 të datës 30 maj 2025, në vendin e quajtur “Fllakë e Egër”. Shtetasi K. K., duke udhëtuar me automjetin tip “Ford Focus”, ka qëlluar me armë zjarri të dyshuar pistoletë, gjatë një manovre parakalimi, në drejtim të automjetit tip “Lancia”, në të cilin ndodhej shtetasi A. G., 36 vjeç, banues në Durrës.
Si pasojë e të shtënave, A. G. mbeti i plagosur, ndërsa dy të miturit që ndodheshin në automjet, të moshës 14 dhe 15 vjeç, fatmirësisht nuk kanë pësuar lëndime.
Nga hetimet ka rezultuar se ngjarja mund të ketë lidhje me një konflikt të mëparshëm, pasi disa ditë më parë shtetasi A. G. ka ushtruar dhunë fizike ndaj babait të autorit të dyshuar, K. K., i cili kishte mbetur i dëmtuar jashtë rrezikut për jetën.
Policia vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e autorit, ndërsa hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit vijojnë për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.