
Një 46-vjeçar nga fshati Katund Sukth është arrestuar nga Policia e Durrësit, pasi ka kanosur me armë një specialist të Policimit në Komunitet.
Ngjarja ndodhi pas njoftimit të efektivit të zonës, se ishte kanosur me armë nga shtetasi L. Sh., 46 vjeç. Menjëherë në vendngjarje mbërritën shërbimet e Patrullës së Përgjithshme, të cilat bënë të mundur arrestimin e autorit.
Nga hetimet paraprake dyshohet se 46-vjeçari, sapo ka parë specialistin e Policisë së zonës, ka zbritur nga automjeti dhe e ka kanosur me një armë sportive (pistoletë) që e mbante pa leje.
Gjatë kontrollit rezultoi se ai drejtonte automjetin në gjendje të dehur. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma sportive dhe automjeti që drejtonte.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.







