
Durrës, 3 maj 2025 – Është finalizuar me sukses operacioni policor i koduar “In”, gjatë të cilit u arrestua një 38-vjeçar që tentoi të fuste në Shqipëri mallra të kontrabanduara pa deklarim doganor.
Në vijim të kontrolleve intensive në hyrje/dalje të territorit, shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, bazuar në analizën e riskut, ndaluan për kontroll një kamion që drejtohej nga shtetasi R. A., banues në Devoll.
Gjatë kontrollit në automjet, policia gjeti dhe sekuestroi 116 celularë dhe 18 shishe me verë, të dyshuara si mallra të kontrabanduara, për shkak të mungesës së dokumentacionit ligjor të blerjes. R. A. synonte t’i fuste këto mallra në territorin shqiptar pa i deklaruar pranë Pikës së Kalimit Kufitar, duke shkelur ligjin në fuqi.
Në përfundim të veprimeve procedurale, 38-vjeçari u arrestua në flagrancë, ndërsa kamioni, celularët, vera, si dhe pasaporta dhe celulari personal i të arrestuarit, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.