Tiranë, 26 shkurt 2026 – I shumëkërkuari Durim Bami pritet të ekstradohet gjatë ditës së sotme nga Dubai drejt Shqipërisë, pas arrestimit të tij më 12 qershor 2024 në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ndaj 47-vjeçarit, banues në Nikël të Krujës, rëndojnë akuza për “sigurimin e kushteve dhe të mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “grup të strukturuar kriminal”, “kultivim të bimëve narkotike” dhe “kryerje të veprave penale nga organizata kriminale”. Më 15 maj 2024, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Pas arrestimit në Dubai, Bami kishte kundërshtuar ekstradimin, duke pretenduar se në Shqipëri i rrezikohej jeta dhe se mund të ishte objekt i atentateve nga grupe rivale kriminale.

Emri i tij përmendet edhe në komunikimet e platformës “Sky ECC”, në kuadër të hetimeve të SPAK për disa grupe kriminale që vepronin në zona të ndryshme të vendit. Sipas dosjes hetimore, ai akuzohet edhe për organizimin e një atentati të mbetur në tentativë ndaj ish-deputetit socialist Arben Ndoka, në vijim të përplasjeve mes grupeve rivale.

Policia e Shtetit njoftoi se ekstradimi realizohet në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Pas mbërritjes në Shqipëri, pritet një njoftim i plotë zyrtar për median.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu