
Kreu i SPAK, Altin Dumani, ditën e sotme ka zhvilluar një takim informal me gazetarët që ndjekin nga afër punën e Prokurorisë së Posaçme. Dumani foli për ngarkesën e lartë të institucionit që drejton, si pasojë e dosjeve të vjetra dhe hetimeve të reja që janë në proces.
“Kemi qenë të fokusuar për krimet zgjedhore që nga muaji mars deri në përfundim të procesit, në bashkëpunim me KQZ-në dhe Prokurorinë e Përgjithshme,” tha Dumani, duke theksuar se strategjia e ndjekur ka pasur efekt parandalues në terren.
Sipas të dhënave të bëra publike, gjatë kësaj periudhe janë referuar në total 193 materiale për krime zgjedhore, ku:
56 janë referuar nga Policia e Shtetit,
53 nga subjektet politike,
80 nga qytetarë të ndryshëm,
10 janë proceduar kryesisht nga SPAK,
6 nga persona juridikë,
dhe 5 nga prokuroritë e rretheve,
Dumani tha se një pjesë e madhe e kallëzimeve kanë qenë të natyrës politike.
“Shumë kallëzime nga subjektet kanë ardhur për asfalt elektoral, punësime në kundërshtim me ligjin apo përdorim i administrëtës”, tha kreu i SPAK.
Lidhur me akuzat për shit-blerje votash, Dumani u shpreh se shumica e denoncimeve kanë qenë indicie të pamjaftueshme për të nisur hetim të thelluar, pasi nuk janë shoqëruar me prova konkrete.
“Kanë qenë thjesht indicie, pa pasur prova konkrete”, tha ai.
Nga të gjitha kallëzimet e marra, për 43 prej tyre është vendosur mosfillim hetimi, ndërsa për 39 raste vijojnë hetimet.
Kreu i SPAK , Altin Dumani në takim komentoi dhe draftin e Kodit të ri Penal.
“Për debatin e Kodit te ri Penal, ka një rendësi jetike për shtetin ligjor, priten diskutime është normale. Debati i parë duhet të ishte bërë, a ishte i nevojshëm Kodi i Ti apo te punohej mbi kodin aktual. Un vetë besoj që ka nevoje për ndryshime, për shembull neni për narkotiket, të ndahet sipas sasisë dhe llojit të drogës. është një draft, ne se kemi marrë zyrtarisht, nuk jemi përfshirë në hartimin e tij, kur të na vij do e analizojmë dhe do mbajmë një qëndrim”, tha Dumani.







