Zeynab Javadli, ish-balerina azere dhe ish-bashkëshortja e Sheikh Saeed bin Maktoum bin Rashid Al Maktoum – nip i sundimtarit të Dubait – ka deklaruar se frikësohet se mund të arrestohet, pasi ish-burri e ka paditur penalisht, duke e akuzuar për rrëmbimin e tre vajzave të tyre të mitura.

Që prej divorcit në vitin 2019, palët janë përfshirë në një betejë të ashpër gjyqësore për kujdestarinë. Situata është tensionuar javët e fundit, pasi fëmijët kanë kaluar disa herë nga njëri prind tek tjetri, me secilin që akuzon tjetrin për rrëmbim.

Javadli rrezikon gjithashtu ndjekje penale për “krime elektronike”, pasi transmetoi drejtpërdrejt përplasjen e fundit gjatë tentativës për të rimarrë vajzat. Ajo thotë se vendosi të hapej me publikun sepse besonte se “ishte shansi i fundit” për të qenë me fëmijët.

Zeynab Javadli

Sipas saj, marrëveshja e vitit 2022 me sundimtarin e Dubait i garantonte kujdestarinë deri në moshën 18 vjeç, strehim dhe mbështetje financiare, me kusht që të mos fliste më publikisht për çështjen. Megjithatë, një vendim i mëpasshëm gjykate ia kaloi kujdestarinë Sheikh Saeed-it, edhe pse Javadli pretendon se i ishte thënë se marrëveshja nuk do të prekej.

Përplasja kulmoi më 8 nëntor, kur gjatë një vizite të rregullt në qendrën e mbrojtjes së fëmijëve, Javadli pa vajzat të vraponin drejt saj duke i thënë: “Mama, na merr prej këtu!”. Ajo urdhëroi shoferin të nisej, por rruga iu bllokua nga makina të njerëzve të ish-burrit. Në atë moment, ajo nisi transmetimin e drejtpërdrejtë duke kërkuar ndihmë.

Prej asaj dite ajo qëndron e mbyllur në shtëpi me vajzat, nga frika e arrestimit, ndërsa të trija – 9, 7 dhe 6 vjeç – nuk po shkojnë në shkollë. Çështja po ndiqet nga autoritetet e Dubait, ndërsa tensionet mes palëve vazhdojnë të thellohen.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu