
Mijëra qytetarë kanë dalë në protesta në Groenlandë dhe Danimarkë, duke kundërshtuar hapur planet e presidentit amerikan Donald Trump për marrjen nën kontroll të Groenlandës, territor autonom i Mbretërisë Daneze.
Demonstratat u zhvilluan në disa qytete daneze, përfshirë Kopenhagenin, si dhe në kryeqytetin e Groenlandës, Nuuk, ku protestuesit valëvitën flamurin kuqe e bardhë të Groenlandës dhe mbanin pankarta me mesazhe si “Hands off Groenlandë” dhe “Groenlandë për groenlandezët”.
Protestat përkuan me vizitën zyrtare në Kopenhagen të një delegacioni të Kongresit amerikan, të kryesuar nga senatori demokrat Chris Coons, i cili i cilësoi deklaratat e Trump si “jo konstruktive”.
Presidenti Trump ka refuzuar të përjashtojë përdorimin e forcës për të marrë Groenlandën, duke argumentuar se territori është thelbësor për sigurinë kombëtare të SHBA-së. Së fundmi, ai ka paralajmëruar edhe tarifa ndëshkuese ndaj vendeve evropiane që kundërshtojnë planin e tij.
Sipas njoftimit të Trump në platformën Truth Social, nga 1 shkurti do të vendosen tarifa 10% për mallrat nga Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Holanda dhe Finlanda. Ai paralajmëroi se tarifat do të rriten në 25% nga 1 qershori, “derisa të arrihet një marrëveshje për blerjen e plotë të Groenlandës”.
Groenlanda, ndonëse me popullsi të vogël, është territor i pasur me burime natyrore dhe ka një pozicion strategjik në Arktik, i rëndësishëm për sistemet e paralajmërimit raketor dhe kontrollin detar.
Trump ka deklaruar më herët se SHBA mund ta marrë Groenlandën “në mënyrën e lehtë ose në mënyrën e vështirë”.
Në protestën e zhvilluar në Nuuk mori pjesë edhe kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, i cili u bashkua me qytetarët pranë konsullatës amerikane me pankarta: “Groenlanda nuk është në shitje” dhe “Ne e formësojmë vetë të ardhmen tonë”.
Sipas sondazheve, 85% e groenlandezëve kundërshtojnë bashkimin me Shtetet e Bashkuara, ndërsa disa vende evropiane kanë theksuar se siguria e Arktikut duhet të jetë përgjegjësi e përbashkët e NATO-s.






