
1 gusht 2025 – Prishtinë, Bërnicë e Poshtme
Prishtina u shndërrua sonte në një skenë botërore, ku mbi 30 mijë persona ndoqën me entuziazëm hapjen madhështore të edicionit të pestë të “Sunny Hill Festival”. Ylli global i muzikës pop, Dua Lipa, elektrizoi turmën me performancën e saj si pjesë e turneut ndërkombëtar “Radical Optimism”.
Kjo ishte një natë që nuk kishte si të ishte ndryshe: drita, koreografi të përpunuara dhe një publik që dukej sikur “prekte qiellin” me ovacione. Prishtina nuk ishte më thjesht një qytet pritës – ajo u kthye në epiqendër të skenës ndërkombëtare të muzikës.
“Tash na bëhen gjashtë vjet dhe po më duket çdo vit po bëhet mirë e më mirë,” u shpreh Dua Lipa nga skena, duke falënderuar publikun dhe familjen për krijimin e këtij festivali në zemër të Kosovës. “Kosova ka lezet,” shtoi ajo me buzëqeshje, përpara se të këndonte shqip së bashku me të atin, Dukagjin Lipa.
Line-up-i që rivalizon Evropën
Festivali nisi fuqishëm me performanca të artistëve si Art Lokaj, Kida, Sienna Spiro, Cil, Edis Görgülü, dhe padyshim, Tayna, që i dha ritëm dhe energji të pandalshme festivalit.
Pasuar nga Fatboy Slim, natës i mungonte vetëm një emër për ta bërë të paharrueshme – dhe ajo ishte Dua.
“Është kënaqësi me qenë në skenën kryesore të festivalit sot”, u shpreh Art Lokaj, duke hapur mbrëmjen mes entuziazmit të publikut.
Emocion, krenari dhe art që lidh botën me Kosovën
“Sunny Hill” nuk është më vetëm një festival – është një deklaratë kulturore që vendos Kosovën në radarët ndërkombëtarë të muzikës live. E themeluar nga familja Lipa, kjo ngjarje është kthyer në një platformë për artistë vendorë dhe ndërkombëtarë, për një publik që vjen nga e gjithë bota.
Atmosfera në Bërnicë të Poshtme është elektrike dhe përplot me ngjyra, ndërsa publiku vijon të shtohet për çdo orë që kalon. Skena qendrore e festivalit është kthyer në sheshin më të nxehtë të verës në Ballkan.