Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se kohët e fundit Serbia ka shkelur hapësirën ajrore të Kosovës përmes dronëve.

Sipas tij, këto veprime përbëjnë një rrezik për sigurinë kombëtare dhe janë pjesë e një strategjie më të gjerë të politikës agresive serbe ndaj Kosovës.

“Shiheni, në vazhdimësi ne kërcënohemi nga Serbia. Kohët e fundit po besoj që tashmë e dini që ka një lëvizje të paautorizuar apo shkeljes së hapësirës sonë ajrore përmes dronëve të cilët kohë pas kohe qarkullojnë apo shkelin hapësirën tonë ajrore”, tha ai në një intervistë për KTV.

“Ne jemi duke i hetuar në mënyrë profesionale, në koordinim me KFOR-in dhe shërbimet partnere. Në momentin që kemi më shumë informacione, patjetër që do t’i ndajmë me publikun. Për momentin nuk ka asgjë për të cilën qytetarët duhet të brengosen. Të gjitha institucionet janë në krye të detyrës,” shtoi ministri.

Ministri theksoi gjithashtu se politika e jashtme e Serbisë vazhdon të mbajë të njëjtin kurs hegjemonik, duke synuar përfitime nga ndryshimet e rrethanave globale për të sfiduar pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu