
Në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, ka raportuar sot drejtoresha e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni. Pas një prezantimi të shkurtër të buxhetit të institucionit, Hyseni kërkoi që seanca të vijonte me dyer të mbyllura, duke argumentuar nevojën për diskutim të çështjeve që lidhen me sigurinë kombëtare.
Kërkesa e saj u kundërshtua menjëherë nga opozita, e cila theksoi se ligji përcakton qartë çfarë përbën sekret shtetëror dhe se raportimi duhet të jetë transparent.
Deputeti i PD-së Flamur Noka reagoi ashpër, duke akuzuar drejtuesen e SHISH se po shmang llogaridhënien:
> “Terri informativ ka mbuluar këtë komision në raport me SHISH. Është hera e parë që transparenca nuk ekziston. Zonja tallet dhe kjo është e papranueshme. Nuk mund t’u hedhim hi syve shqiptarëve. Sekreti shtetëror është i përcaktuar me ligj. Ky nuk është raportim, por ‘më ka çuar nëna me la gojën’.”
Pavarësisht debatit, seanca vijoi me diskutime të tensionuara mbi mënyrën e raportimit dhe kufijtë e informacionit që mund të klasifikohet si sekret.







