Kuvendi i Shqipërisë zhvillon sot më 27 tetor, në orën 10:00, seancën e radhës plenare, ku pritet të shqyrtohen disa çështje me rëndësi të veçantë institucionale dhe politike.

Në axhendën e ditës janë përfshirë dy projektvendime që lidhen me ngritjen e komisioneve të posaçme parlamentare: njëri për Reformën Zgjedhore, dhe tjetri për Reformën Administrativo–Territoriale.

Të dy komisionet pritet të kenë mandat të posaçëm për përgatitjen e propozimeve që do të çojnë drejt rishikimit të sistemit zgjedhor dhe ndarjes së re territoriale në vend.

Pjesë e seancës do të jenë edhe raportimet vjetore të institucioneve të drejtësisë për vitin 2024.

Fillimisht, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, do të paraqesë në Kuvend raportin mbi gjendjen e kriminalitetit në vend gjatë vitit të kaluar.

Më pas, Kreu i SPAK, Altin Dumani, do të referojë për veprimtarinë e strukturës antikorrupsion dhe luftën kundër krimit të organizuar.

Pas tij, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, do të raportojë për punën e institucionit që mbikëqyr veprimtarinë disiplinore në sistemin gjyqësor.

Në vijim, Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi, do të prezantojë raportin mbi gjendjen e sistemit gjyqësor dhe aktivitetin e KLGJ-së për vitin 2024, ndërsa Kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani, do të paraqesë raportin vjetor të KLP-së.

Pas çdo raportimi, deputetëve do t’u jepen 150 minuta kohë debati, të ndarë në mënyrë të përpjesëtueshme midis grupeve parlamentare.

Në përfundim të diskutimeve, pritet që Kuvendi të votojë edhe rezolutat përkatëse për secilin institucion.

Nga ana tjetër, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i ka bërë thirrje Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, që të garantojë një seancë të qetë dhe pa provokime, duke kërkuar respektimin e plotë të Rregullores së Kuvendit dhe të të drejtave të opozitës gjatë zhvillimit të debatit./klan lajme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu