Ish-kryeministri Sali Berisha ka ngritur shqetësime të forta mbi situatën e drejtësisë në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një pengesë kryesore për zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investitorëve. Gjatë një deklarate publike, ai i bëri thirrje biznesit dhe qytetarëve të ngrinin zërin, duke theksuar se vonesat në proceset gjyqësore po krijojnë një klimë pasigurie juridike që pengon rritjen ekonomike.

“Në Shqipëri nuk ka proces gjyqësor, ka vetëm pritje të pafundme! Bizneset falimentojnë, investitorët largohen, ndërsa qytetarët mbeten peng i një drejtësie që nuk funksionon. Reforma në drejtësi ka prodhuar vetëm 150 mijë dosje të bllokuara dhe miliarda euro të ngrira,” tha Berisha.

Ai theksoi se 62% e të burgosurve në vend janë të paraburgosur, të cilët presin me vite vendimin e një gjykate që nuk funksionon. Sipas tij, situata është e papranueshme dhe kërkon një rireformim urgjent të sistemit me ndihmën e Komisionit të Venecias.

Në këtë kontekst, Berisha propozoi gjithashtu krijimin e zonave të lira ekonomike, duke e cilësuar këtë hap si jetik për zhvillimin e Shqipërisë. Ai tha se vendi ka humbur 34 vite pa përfituar nga ky model, ndërsa fqinjët si Maqedonia dhe Serbia i kanë kthyer në sukses.

“Do të krijojmë fillimisht katër zona ekonomike, por pa investime offshore që lejojnë pastrimin e parave të qeveritarëve,” theksoi ai.

Në fund, ai paralajmëroi se pa një sistem drejtësie funksional, asnjë reformë ekonomike nuk mund të japë rezultate, duke kërkuar një aleancë mes biznesit dhe qytetarëve për të kërkuar ndryshime reale.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu