Shembja e segmentit Librazhd–Përrenjas po prodhon pasoja zinxhir edhe në kufi. Rreth 30 kamionë kanë mbetur të bllokuar në pikën kufitare të Qafë Thanës, teksa drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë presin prej ditësh hapjen e rrugës për të vijuar itinerarin e zakonshëm Qafë Thanë–Elbasan.

Prishja e segmentit ka detyruar shumë kamionë të devijojnë lëvizjen dhe të kalojnë tranzit përmes territorit të Maqedonisë së Veriut, duke rritur menjëherë fluksin dhe duke krijuar pritje të gjata në kufi.

Shoferët tregojnë se situata është bërë e papërballueshme. Disa prej tyre janë detyruar të gatuajnë në anë të rrugës me bombola gazi, ndërsa flenë në kabinat e kamionëve, në temperatura të ulëta.

“Kemi që të dielën këtu që presim. Moti është i ftohtë. Kemi mbetur pa bukë, pa ujë. Shpresojmë të hapet rruga dhe të ikim, s’kemi çfarë të bëjmë”, u shpreh një prej shoferëve.

Një tjetër shtoi: “Kemi katër ditë këtu. Kemi familje dhe fëmijë që na presin në shtëpi. Po flemë në kabinë. Nga këtu do iki në Durrës. Po presim të hapet rruga nga pala shqiptare.”

Sipas autoriteteve shqiptare, vetëm gjatë 24 orëve të fundit në Qafë Thanë kanë hyrë 1510 shtetas dhe kanë dalë 1703, një tregues i qartë i rritjes së volumit të lëvizjes për shkak të devijimeve të detyruara të trafikut.

Ndërkohë, shoferët mbeten në pritje, me sytë nga hapja e aksit që ka izoluar juglindjen dhe ka paralizuar qarkullimin në një nga nyjet më të rëndësishme të transportit në vend.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu