
Gjatë prezantimit të saj si kandidate për drejtimin e SPAK, prokurorja Doloreza Musabelliu ndaloi edhe te një nga dosjet më komplekse të viteve të fundit, procedimi penal i vitit 2022, një çështje e dërguar në gjykatë me 33 të pandehur.
Një element i veçantë i këtij hetimi ishte sekuestrimi i kriptomonedhave me vlerë 10 milionë dollarë.
Prokurorja bëri të ditur se autoritetet shqiptare u përballën fillimisht me një problem, mungesën e një portofoli shtetëror për ruajtjen e kriptoaktiveve të sekuestruara.
“Arritëm të gjenim zgjidhje dhe t’i ruanim kriptomonedhat në një shtet tjetër, përmes kërkesës për ndihmë juridik”, tha prokurorja.
Musabelliu: Është procedimi penal 75/9 i vitit 2022 me 33 të pandehur që është dërguar në gjykatë dhe ka tëe bëjë me veprat penale të vrasjes me pagesë, pastrim të produkteve të veprës kriminale, të kryera në formën e organizatës kriminale. Një risi në kuadër të këtij procedimi është proceduar me sekuestrimin e kriptomonedhave me vlerën e 10 milionë dollarëve, të cilat ne patëm një problematikë, sesi ti ruanim, sepse nuk kishim një portofol. Falë bashkëpunimit me autoritetet e huaja, ti ruanim në një shtet tjetër nëpërmjet kërkesës për ndihme juridike.






