
Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA kanë publikuar një seri fotografish të reja nga pasuria e financierit Jeffrey Epstein, të cilat nxjerrin në pah lidhjet e tij me figura të rëndësishme politike dhe ekonomike, përfshirë presidentin Donald Trump, ish-presidentin Bill Clinton dhe Andrew Mountbatten-Windsor, i njohur si Princi Andrew.
Në total janë bërë publike 19 fotografi, pjesë e një arkivi prej rreth 95 mijë imazhesh të dorëzuara Kongresit në kuadër të hetimit të vazhdueshëm, raporton Politico. Sipas demokratëve, publikimi synon rritjen e transparencës mbi marrëdhëniet e Epstein me elitat politike dhe financiare.
Deputeti Robert Garcia deklaroi se këto materiale shtojnë presionin ndaj Departamentit të Drejtësisë për të publikuar pa vonesë të gjitha dokumentet përkatëse, afati i fundit i të cilave është 19 dhjetori.
Fotografitë tregojnë Epstein-in në shoqëri të Trump, Clinton, Bill Gates, Larry Summers dhe personaliteteve të tjera, duke ilustruar rrjetin e gjerë të marrëdhënieve të tij. Në disa prej tyre, Trump shfaqet në evente shoqërore pranë Epstein-it, ndërsa një foto e nënshkruar nga Bill Clinton e paraqet atë së bashku me Epstein-in dhe Ghislaine Maxwell, aktualisht e dënuar për trafikim të miturish.
Në setin e fotove përfshihen gjithashtu imazhe të Bill Gates gjatë takimeve të ndryshme dhe foto të Larry Summers gjatë udhëtimeve me avion privat. Publikimi i këtyre materialeve ka sjellë pasoja për Summers, i cili është ndaluar nga Shoqata Amerikane e Ekonomisë dhe është tërhequr nga disa role akademike në Harvard.
Në disa fotografi shfaqet edhe Steve Bannon, ish-këshilltar i lartë i Donald Trump, në biseda me Epstein.
Nga ana tjetër, republikanët në Komitet kanë kritikuar publikimin, duke e cilësuar atë si të njëanshëm dhe të motivuar politikisht, me synimin për të ndërtuar një narrativë të shtrembëruar.
Donald Trump ka deklaruar më herët se ka ndërprerë çdo marrëdhënie me Epstein vite përpara arrestimit të tij dhe i ka cilësuar thirrjet për publikimin e dosjeve si politike. Megjithatë, ai ka mbështetur legjislacionin që detyron Departamentin e Drejtësisë të dorëzojë të gjitha materialet relevante.
Ndërkohë, Bill Clinton është thirrur me urdhër për t’u paraqitur para Komitetit Hetimor, por ende nuk është caktuar një datë për dëshminë e tij. Demokratët kanë paralajmëruar se publikime të tjera priten në ditët dhe javët në vijim, duke theksuar se identitetet e viktimave do të mbeten të mbrojtura.






