
Të vënë nën hetim nga SPAK për krijimin e një skeme korruptive përmes “5D Construction”, 2 ish- drejtorët e bashkisë së Tiranës, Redi Molla dhe Mariglen Qato, i kërkuan sot Gjykatës së Posaçme rikualifikimin e veprave penale për të cilat akuzohen. Sipas tyre, akuzat e korrupsionit pasiv, pastrimit të parave, fshehjes së të ardhurave dhe shkeljes së barazisë në tendera nuk përligjen, ndaj duhen ndryshuar.
Po sot, një tjetër kërkesë, e të pandehurve, Redi Molla, Taulant Tushe, Mariglen Qato, Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku dhe Nestor Muahmetllari ishte ajo e gjykimit të shkurtuar, që u ul atyre 1/3 e dënimit nëse shpallen fajtorë.
Mirëpo, gjyqtarja Elsa Ulliri do të vendosë për kërkesat e tyre në 14 shkurt.
Në 26 dhjetor SPAK mbylli hetimet për dosjen “5D” dhe gjeti se Redi Molla në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të “Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë” si Mariglen Qato si Drejtor i Departamentit Mbështetës në po të njëjtën shoqëri kanë zotëruar de facto kompaninë që përfitonte tendera në mënyrë të paligjshme.
Të pandehurit e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare në mënyrë indirekte, duke përdorur persona të tjerë, si ortakë fiktivë në aktet e rregjistrimit dhe funksionimit të shoqërisë, me të cilët ortakët e vërtetë të shoqërisë kanë pasur lidhje shoqërore dhe miqësore. Organi i akuzës thotë se shoqëria 5D ka përfituar rreth 192.7 milionë lekë nga shtatë procedura të prokurimeve publike, në një hark kohor 2016-2020.
Njëherësh, SPAK zbuloi nga hetimet se nga gjiri i dosjes 5D ka ndarë një tjetër fraksion. Fjala është për dy procedura të tjera prokurimi “Rikonstruksioni i sheshit të parkimit te Selman Stermasi”, dhe i të autoritetit kontraktor Tirana Parking që janë bërë përmes kompanisë 5D. Prokuroria e Posaçme nuk e përjashtoi as përfshirjen e personave të tjerë që mund të kenë pasur interesa financiare nga e njëjta kompani. /vizionplus