
Drejtori i Burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa, është dorëzuar në polici, pasi ishte shpallur në kërkim në lidhje me zbulimin e një sasie të madhe kanabisi në një objekt në pronësi të tij në zonën e Peqinit.
Gjatë operacionit policor në fshatin Kurtaj, njësia administrative Gjocaj, shërbimet e Policisë zbuluan në bodrumin e një magazine dy ambiente të përshtatura posaçërisht për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave. Në total, u sekuestruan rreth 4 mijë bimë kanabisi, si dhe pajisje elektrike të përdorura për këtë aktivitet.
Sipas informacioneve paraprake, objekti rezulton në pronësi të Hasës, i cili pas shpalljes në kërkim është vetëdorëzuar pranë autoriteteve.
Burime për News24 bëjnë me dije se në dëshminë e tij, Hasa ka mohuar çdo lidhje me veprimtarinë e paligjshme, duke deklaruar se nuk ka pasur dijeni për atë që zhvillohej në ambientet në fjalë. Ai ka theksuar gjithashtu se prej disa muajsh nuk kishte shkuar në atë objekt.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.



